Një tjetër investim në infrastrukturën urbane ka nisur në qytetin e Lushnjës. Bëhet fjalë për rehabilitimin e rrugës “Iljaz Ahmeti”, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”. Investimi i bashkisë Lushnjë me vlerë 31, 663, 210 lekë do të përfundojë brenda 240 ditëve
Punimet kanë nisur në terren, ku mjetet e rënda po kryejnë ndërhyrjet e para përgjatë këtij aksi rrugor.
Projekti parashikon një ndërhyrje të plotë në infrastrukturë, duke përfshirë rehabilitimin e rrugës, ndërtimin e trotuareve dhe instalimin e linjave të reja të ndriçimit.
Një tjetër element i projektit është ndërhyrja në muret rrethuese përgjatë rrugës, me qëllim krijimin e një pamjeje më të rregullt dhe uniforme në të gjithë gjatësinë e aksit.
Investimi pritet të përmirësojë kushtet e lëvizjes për banorët e kësaj zone, duke krijuar një infrastrukturë më funksionale dhe njëkohësisht duke i dhënë një tjetër pamje urbane lagjes.
Ndërhyrjet në këtë pjesë të qytetit vijnë në kuadër të investimeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hapësirave publike në Lushnjë.
Punimet vijojnë në terren, ndërsa pas përfundimit të tyre, rruga “Iljaz Ahmeti” pritet të ofrojë kushte më të mira për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
