Një aksident është regjistruar paraditen e së premtes në Ardenicë, ku një 55-vjeçar është plagosur pasi është zënë poshtë nga një mjet motorrik tip frezë me karroceri.

I aksidentuari është Altin Alla, i cili në momentin e ngjarjes ishte duke transportuar rrushin e vjelë në vreshtat në territorin e fshatit.

Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, Alla po lëvizte me mjetin e ngarkuar me rrush, kur në një pjesë të rrugës me dishezë mjeti ka dalë nga kontrolli. Dyshohet se pesha e ngarkesës, në terrenin e pjerrët, ka bërë që mjeti të mos kontrollohej më nga drejtuesi dhe të përfundonte mbi të.

Pas aksidentit kanë qenë të afërmit e Altin Allës ata që kanë dhënë alarmin duke njoftuar menjëherë policinë dhe shërbimin e ambulancës për t’i ardhur në ndihmë të plagosurit.

55-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ende nuk bëhen të ditura detaje të tjera lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Menjëherë pas ngjarjes në vendin e aksidentit ka mbërritur edhe grupi hetimor i cili ka nisur verifikimet për të dokumentuar rrethanat dhe dinamikën e plotë të aksidentit.

Ekspertët po punojnë për të përcaktuar me saktësi shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit, ndërsa të dhënat paraprake flasin për vështirësi në manovrim për shkak të terrenit të pjerrët dhe ngarkesës që transportohej.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziku i përdorimit të mjeteve bujqësore në terrene të pjerrëta, veçanërisht gjatë periudhës së vjeljes së rrushit, kur këto mjete përdoren për transportin e prodhimeve bujqësore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds