Kinemaja shqiptare rikthehet në qendër të vëmendjes me edicionin e 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, i cili nis sot, më 3 shtator, në Tiranë dhe do të vijojë deri më 12 shtator.

Përgjatë dhjetë ditëve, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë rreth 220 prodhime shqiptare, të realizuara nga viti 2012 deri më sot. Filma të gjatë e të shkurtër, dokumentarë dhe animacione do të sjellin një panoramë të krijimtarisë së kineastëve shqiptarë gjatë viteve të fundit.

Drejtori artistik i festivalit Ilir Butka thekson se synimi është që filmi shqiptar të rikthehet pranë publikut, ndërsa të rinjtë të frymëzohen për t’u bërë pjesë e industrisë së kinemasë dhe për të kontribuar në të ardhmen e saj.

Një risi e këtij edicioni është mënyra e vlerësimit të filmave. Çmimet do të përcaktohen përmes Jurisë Zyrtare, Akademisë së Filmit dhe votës së publikut, duke i dhënë audiencës një rol të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e fituesve.

Festivali nis me një moment nderimi për figurat që kanë shkruar historinë e kinemasë shqiptare. 16 personalitete do të vlerësohen me Çmimin e Karrierës, ndërsa në kujtim do të nderohen edhe emra të paharruar të filmit shqiptar.

Pas ceremonisë së hapjes do të shfaqet filmi “Liqeni im”, me regji të Gjergj Xhuvanit.

Shfaqjet do të zhvillohen në Universitetin e Arteve, Kinema Agimi, Kinema Piramida dhe Film Zone te Tirana Moon, duke e shtrirë kinemanë shqiptare në disa prej hapësirave kulturore të kryeqytetit.

Por festivali nuk do të jetë vetëm një maratonë filmash. Takimet me regjisorë, aktorë, skenaristë, producentë dhe profesionistë të tjerë do të krijojnë mundësi për diskutim dhe bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me publikun.

Gjithçka do të kulmojë me natën gala të çmimeve, ku do të ndahen 31 çmime për më të mirët në regji, skenar, interpretim, produksion, fotografi, muzikë, montazh, skenografi dhe kostume.

Një festë e kinemasë shqiptare, që për dhjetë ditë do të bashkojë në Tiranë historinë, krijimtarinë e së tashmes dhe talentet që pritet t’i japin formë të ardhmes së filmit shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds