Ikona e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Reshat Arbana, feston sot 86-vjetorin e lindjes.
Lindur më 15 shtator 1940 në Tiranë, ai ka ndërtuar një karrierë monumentale me dhjetëra role të paharruara në teatër dhe kinematografi, duke filluar që nga paraqitjet e tij të hershme në vitin 1963 me filmin ‘Detyra e re’.
Pasi kreu studimet e larta në shkollën për aktorë “Aleksandër Moisiu”, pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë, më 1968, ai fillimisht dha kontributin e tij në Radio Tirana, ndërsa nga viti 1977 e deri sa doli në pension shërbeu si aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës.
Në skenën e këtij teatri Arbana solli në jetë personazhe të skalitura me mjeshtëri në shfaqje të tilla si ‘Arturo Ui’, ‘Prefekti’ apo ‘Familja e Peshkatarit’, për t’u rikthyer fuqishëm më pas edhe në skenë me role protagonistësh në dramat ‘Streha e të harruarve’ (2004) apo ‘Babai’ (2019), me të cilin u shpall gjithashtu “Aktori më i mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove, duke dëshmuar energji dhe përkushtim të pashtershëm skenik.

Gjatë rrugëtimit të tij të jashtëzakonshëm kinematografik, i cili përfshin prodhime të shquara ndër vite si ‘Komisari i dritës’ (1966), ‘Dueli i heshtur’ (1967), ‘Kapedani’ (1972), ‘Fije që priten’ (1976), ‘Gjeneral gramafoni’ (1978), ‘Liri a vdekje’ (1979), ‘Nëntori i dytë’ (1982) në rolin e monumentit të historisë Isa Boletini, ‘Dora e ngrohtë’ (1983), ‘Kush vdes në këmbë’ (1984), ‘Hije që mbeten pas’ (1985), ‘Kur hapen dyert e jetës’ (1986), ‘Binarët’ (1987), ‘Rikonstruksioni’ (1988) e deri te ‘Balada e Kurbinit’ (1990), ai dëshmoi një gamë të gjerë karakteresh, nga figurat dramatike e historike tek ato komike e sociale. Për interpretimet e tij të larta si Dajlan Beu te ‘Kush vdes në këmbë’ dhe Kryetari i Këshillit te ‘Kur hapen dyert e jetës’, ai u kurorëzua me Medalionin e Festivalit të Filmit përkatësisht në vitet 1985 dhe 1987.

Përveç roleve të tij të paharruara në ekran dhe skenë, Reshat Arbana ka lënë një trashëgimi të rrallë edhe përmes interpretimit magjik të poezisë dhe recitimeve epike. Me zërin e tij karakteristik, bariton, të ngrohtë dhe me një forcë të jashtëzakonshme dramatike në vargjet e autorëve të shquar, ai i ka shndërruar recitimet në perla të vërteta të shpirtit dhe identitetit tonë kombëtar.
Vlerësimet për kontributin e tij kolosal shtrihen në mirënjohjet më të larta shtetërore e mbarëkombëtare: më 7 tetor 2011, Presidenti i Republikës i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa më 26 nëntor 2011 Shoqata shqiptare në Parma të Italisë “Scanderbeg” i dorëzoi çmimin “Skënderbeu – Diaspora shqiptare në Itali”.

Ky rrugëtim prej legjende të artit shqiptar nderohet sërish në këtë muaj shtator të vitit 2026, në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, që rikthehet pas 13 vitesh, ku ai vlerësohet me Çmimin e Karrierës si një nga 16 kolosët që me punën e tyre shkruan historinë e kinemasë shqiptare./CNA
