Ka nisur zbatimi i ligjit nr. 57/2026 “Për dhënie amnistie” edhe në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier. Pas shqyrtimit të dosjeve të të gjithë të dënuarve me vendim të formës së prerë, komisioni i posaçëm vendosi lirimin e 104 të dënuarve, ndërsa rreth 210 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit me një vit.

Sipas Drejtorisë së IEVP Fier, shumica e të liruarve janë dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të ulët dhe mesatare. Nga amnistia përfitojnë edhe dy shtetas të huaj, pakistanezi Asat Ali i dënuar për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe rumuni Florian Balanesku i dënuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”, si dhe disa të dënuar me masa të larta burgimi të cilëve u kishte mbetur më pak se një vit për të vuajtur.

Mes tyre janë Luan Fush i dënuar me 25 vite burg për vrasje me paramendim, si dhe Erild Gega i dënuar me 14 vite burg për vjedhje me dhunë. Amnistia përfshin gjithashtu edhe 7 të dënuar mbi moshën 60 vjeç.

Në ambientet jashtë burgut, familjarët pritën me emocione të afërmit e tyre, ndërsa të liruarit e vlerësuan amnistinë si një mundësi për një fillim të ri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds