Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për deklarimin e Parkut Arkeologjik të Apolonisë si pasuri kulturore e paluajtshme, duke përcaktuar kufijtë, zonifikimin dhe planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij.
Vendimi synon forcimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e menaxhimit të një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Statusi i ri i jepet parkut në përputhje me hartën e zonifikimit dhe koordinatat në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare, të cilat janë pjesë përbërëse e këtij akti.
Sipas vendimit, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor do të publikojë hartën e re në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin e vendimit sipas legjislacionit në fuqi.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Njësia e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Apoloni, si dhe Bashkia Fier.
Parku Arkeologjik i Apolonisë, i themeluar në shekullin VI para Krishtit nga kolonët grekë, është një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike në vend. Ai përfshin monumente të rëndësishme si Odeoni, Biblioteka, Buleuterioni, Tempulli i Artemisit dhe Manastiri i Shën Mërisë, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj. Vendimi i qeverisë hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
