Me zhvillimin e provimit të gjuhës së huaj, 708 nxënës të klasave të nënta në bashkinë e Lushnjë përmbyllën sot ciklin e Provimeve Kombëtare të Arsimit Bazë.

Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfshiu katër gjuhë të huaja të detyrueshme: anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht. Ndërkohë nxënësit që i përkasin pakicave kombëtare u vlerësuan edhe në lëndën e gjuhës së tyre, ndërsa nxënësit me aftësi të kufizuara që ndjekin shkollat e zakonshme i zhvilluan provimet sipas përcaktimeve të rregullores për Provimet Kombëtare të Arsimit Bazë.

Testimi zgjati rreth 2 orë e 30 minuta. Nxënësit u paraqitën një orë përpara fillimit të provimit në tetë qendra testimi, të ngritura në shkollat “4 Dëshmorët”, “Skënder Libohova”, “Foto Puka”, “Kongresi i Lushnjës”, si edhe në shkollat e mesme të bashkuara në Kolonjë, Fiershegan, Dushk dhe Krutje e Sipërme.

Gjatë muajit qershor nxënësit e klasave të nënta zhvilluan tre provimet kombëtare: gjuhën shqipe më 19 qershor, matematikën më 25 qershor dhe sot provimin e gjuhës së huaj duke përmbyllur kështu procesin e testimit për arsimin bazë.

Provimet kombëtare përbëjnë një etapë të rëndësishme në rrugëtimin arsimor të nxënësve, të cilët tashmë përgatiten të vijojnë studimet në arsimin e mesëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds