Shkrimtari dhe gazetari i njohur Ben Blushi ishte në Lushnjë për të promovuar romanin e tij më të ri, “Jam Mysliman” në një takim me lexues, intelektualë dhe dashamirës të librit.

Gjatë bashkëbisedimit me publikun Blushi ndau detaje mbi veprën të cilën e cilësoi si një rrëfim letrar me nota ironike dhe filozofike që trajton raportin mes fesë, identitetit dhe shtetit laik në Shqipërinë moderne. Autori theksoi se romani duhet të lexohet si letërsi dhe jo si një manifest apo qëndrim personal ndaj fesë.

Libërdashësit e pranishëm diskutuan me autorin mbi temat dhe mesazhet që përcjell romani duke ndarë edhe përshtypjet e tyre për veprën dhe stilin e tij letrar.

“Jam Mysliman” rrëfen historinë e një shkrimtari që pas një udhëtimi jetësor dhe një vizite në Mekë përjeton një transformim të thellë shpirtëror duke ngritur pyetje mbi besimin, identitetin dhe përkatësinë.

Romani është një nga botimet më të diskutuara të muajve të fundit duke nxitur debate e reflektime mbi fenë dhe identitetin. Për këtë vepër, Ben Blushi është nderuar me çmimin special “Autori i Vitit” në Panairin e Librit në Prishtinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds