575 maturantët e Lushnjës, ashtu si mijëra bashkëmoshatarë të tyre në të gjithë vendin zhvilluan këtë të martë provimin e fundit të Maturës Shtetërore, atë të lëndës me zgjedhje duke përmbyllur zyrtarisht ciklin e testimeve për vitin shkollor 2025-2026.
Që në orët e para të mëngjesit maturantët iu drejtuan qendrave të testimit, ndërsa provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:30. Procesi u zhvillua nën masa të rrepta administrimi, ku ishte i ndaluar përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër elektronike. Nxënësit u paraqitën me dokument identifikimi, dy stilolapsa dhe një shishe me ujë, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit.
Ky ishte testi i katërt dhe i fundit i Maturës Shtetërore, pas provimeve të Gjuhës së Huaj, Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, si dhe Matematikës. Rezultatet e këtij provimi do të jenë vendimtare për llogaritjen e pikëve me të cilat maturantët do të konkurrojnë për pranimin në universitetet publike dhe private.
Në shkallë vendi Matura Shtetërore 2026 u administrua në 144 qendra provimesh, me angazhimin e mbi 2 mijë mësuesve administratorë dhe 170 monitoruesve të Ministrisë së Arsimit.
Me zhvillimin e provimit të lëndës me zgjedhje maturantët mbyllin një etapë të rëndësishme të arsimit parauniversitar dhe tashmë presin publikimin e rezultateve, si hapin e radhës drejt aplikimit në arsimin e lartë.
