Banorët e fshatit Varibop në njësinë administrative Cakran kanë protestuar paraditen e sotme për mungesën e ujit të pijshëm në rubinetat e çesmave të tyre. Ata pohojnë se duke filluar nga muaji maj dhe gjithë muajt e verës, prej një dekade, veçanërisht 40 familje të lagjes Dautaj, nuk furnizohen me ujë të pijshëm. Banorët detyrohen t’u drejtohen burimeve të fshatit rreth 3 kilometra larg banesave të tyre.
Banorët pohojnë gjithashtu se përballë mungesës së ujit janë detyruar të hapin puse, por përpjekjet e deritanishme kanë qënë të dështuara , pasi thatësira ka bërë që deri në 100 metra thellësi të mos ketë ujë. Ata theksojnë se dhe punimet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit kanë qënë jocilësore.
Përballë kësaj problematike, bonorët bëjnë apel të dëshpëruar për reagim nga institucionet përgjegjëse, ndërkohë që Shoqëria Rajonale e ujësjellës- kanalizimeve Fier ka bërë të ditur se do të marrë masa të menjëhershme për furnizimin 8 orë në ditë me ujë të fshatit Varibop , ndërsa u ka bërë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm për të mos shpërdoruar ujin pasi kërkesa gjatë muajve të verës është e lartë.
