Po zhvillohet në Lushnjë procesi i votimit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Degës së Partisë Demokratike. Qendra e votimit u hap në orën 08:00 në selinë e PD-së dhe do të qëndrojë e hapur deri në orën 18:00, për t’u dhënë mundësinë anëtarëve të shprehin vullnetin e tyre.
Procesi po zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe pa incidente, ndërsa anëtarët vijojnë të paraqiten pranë kutive të votimit. Dega e Partisë Demokratike në Lushnjë numëron mbi 3500 anëtarë.
Në garë për drejtimin e degës janë dy kandidatë, Julian Meço dhe Gentian Çela të cilët gjatë fushatës kanë kërkuar mbështetjen e demokratëve duke prezantuar vizionet e tyre për organizimin dhe forcimin e strukturave të partisë në Lushnjë.
Pavarësisht konkurrencës, të dy kandidatët kanë përcjellë mesazhe bashkimi dhe bashkëpunimi, duke theksuar se gara duhet të shërbejë për forcimin e Partisë Demokratike dhe jo për krijimin e ndasive mes anëtarësisë.
Rezultati përfundimtar pritet të bëhet publik pas mbylljes së votimit dhe përfundimit të numërimit gjatë mbrëmjes.
