Festuan në sheshin qendror të qytetit të gjithë bashkë, fëmijë e të rritur, prindër e gjyshër në një atmosferë plot ngjyra në koncertin festiv që u organizua për 1 Qershorin nga Bashkia e Lushnjës.
Kjo atmosferë festive me këngë, valle e spektakël mbushi sheshin që u gjallërua nga gëzimi i fëmijëve dhe ngjyrat e pranverës.
Në skenën e improvizuar performuan fëmijët e Qendrës Kulturore si edhe grupe të ndryshme kërcimi të qytetit të cilët sollën këngë, valle tradicionale shqiptare dhe koreografi moderne aerobike për më shumë se 1 orë duke marrë duartrokitjet e ngrohta të publikut.
Emocione të veçanta përjetuan edhe prindërit të cilët ndoqën me krenari performancat e fëmijëve të tyre që i fotografuan dhe filmuan për t’i ruajtur si kujtime të kësaj dite të bukur.
1 Qershori solli edhe një herë mesazhin se fëmijët janë pasuria më e çmuar e shoqërisë, burimi i shpresës dhe i së ardhmes.
Festa në qendër të qytetit u kthye kështu në një ditë gëzimi dhe bashkimi për të gjithë komunitetin duke përcjellë dashuri dhe besim tek brezat që po rriten.
