Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka dërguar për gjykim një avokate dhe një përkthyese, të dyshuara për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, e kryer në bashkëpunim, sipas nenit 186/2 të Kodit Penal.
Hetimet për procedimin penal nr. 857, të vitit 2025, kanë zbuluar se më 29 maj 2025 në Zyrën e Gjendjes Civile në Bashkinë Fier është depozituar, përmes postës, një vendim gjyqësor i dyshuar si i falsifikuar, i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i datës 12 shkurt 2025, me kërkesë për njohjen dhe zbatimin në Shqipëri të një vendimi të një gjykate greke për divorc.
Sipas Prokurorisë, pas verifikimeve rezultoi se dokumentet e paraqitura, si vendimi shqiptar ashtu edhe ai i gjykatës greke, ishin të falsifikuara.
Hetimet tregojnë se dokumentet janë dërguar nga shtetaset A.K. dhe A.M., të cilat janë paraqitur disa herë në zyrën e gjendjes civile për të ndjekur procedurat. Po ashtu, njëra prej tyre, A.M., në cilësinë e saj si njohëse e ligjit, dyshohet se ka tentuar të ndikojë në regjistrimin e vendimeve pranë administratës civile.
Sipas dosjes hetimore, A.K. në bashkëpunim me avokaten A.M. dyshohet se ka falsifikuar dhe përdorur dokumentet gjyqësore për të realizuar një divorc të rremë të shtetasit F.H., si dhe për të sajuar më pas njohjen e tij në Shqipëri. Qëllimi i dyshuar, sipas hetimeve, ka qenë lidhja e një martese të re ligjore me të njëjtin shtetas, me të cilin ishte edhe në një lidhje intime.
Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e ligjshmërisë në administrimin e dokumenteve zyrtare dhe parandalimin e veprimeve të falsifikimit në institucionet publike.
