Java ka nisur me një aksident në autostradën Fier – Lushnjë në afërsi të Pushimit të Shoferit.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, një tip “Benz” dhe një tip “Ford”, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën në segmentin me trafik të ngarkuar të autostradës. Si pasojë e përplasjes, një person që ndodhej në mjetin “Ford” ka mbetur i lënduar dhe është transportuar menjëherë me ambulancë drejt Spitalit të Lushnjës për ndihmë mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e para të grupit hetimor të policisë rrugore, dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur automjeti tip “Benz” ka frenuar në korsinë e tij, në momentin që mjeti “Ford” po tentonte të futet në korsinë e ngadalësimit, duke sjellë përplasjen mes dy mjeteve.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme. Për të shmangur bllokimin e trafikut ka ndërhyrë edhe Policia e Rendit, e cila ka bërë disiplinimin e qarkullimit në këtë segment të rëndësishëm rrugor.
Në automjetin “Benz” udhëtonin dy bashkëshortë me origjinë indiane, shtetas anglezë, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime serioze. Ndërsa në mjetin “Ford” ndodheshin dy persona nga Lushnja, ku drejtuesi i mjetit po transportonte të atin nga Spitali i Fierit drejt banesës, pasi ai kishte kryer një seancë dialize. Për shkak të aksidentit, pasagjeri është rikthyer sërish në spitalin e Lushnjës për kontroll dhe trajtim mjekësor, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Autoritetet vijojnë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave që çuan në këtë aksident, ndërsa apelojnë për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në segmentet me fluks të lartë qarkullimi.
