Në Karbunarë u zhvillua sot për herë të parë panairi “Histori dhe Traditë”, një aktivitet që mblodhi fermerë dhe biznese të zonës me qëllim promovimin e produkteve lokale dhe vlerave të trashëgimisë kulturore.
Aktiviteti u shoqërua edhe me një ekspozitë fotografike me materiale historike nga fshatrat e njësisë, e cila njohu të pranishmit me zhvillimin dhe historinë e zonës ndër vite.
Atmosfera u bë më festive nga grupi “Myzeqeja”, i cili performoi valle dhe këngë tradicionale myzeqare dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve Lushnjë me kërcimet aerobike.
Në panair morën pjesë Kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa e shoqëruar nga nënkryetaret Edlira Mezini dhe Maldrita Bardho, Ministri i Ekonomisë Petrit Malaj dhe deputetët Elton Korreshi dhe Kiduina Zaka.
Përfaqësuesit vizituan stendat e fermerëve dhe u njohën nga afër me produktet e ekspozuara.
Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa u shpreh se aktivitete të tilla po zhvillohen në njësitë administrative të bashkisë Lushnjë me synim promovimin e traditave dhe veçorive të çdo zone.
