Për herë të tretë u organizua Festa e Darsisë në njësinë administrative Ballagat, një aktivitet që solli së bashku fermerë, biznese të zonës dhe qytetarë, me qëllim promovimin e produkteve dhe vlerave tradicionale të kësaj treve. Në panairin e organizuar, fermerët dhe bizneset lokale prezantuan produktet e tyre, mes tyre fruta të stinës dhe gatime tradicionale karakteristike të zonës.
Vetë fermerët u shprehën se aktivitete të tilla ndihmojnë në promovimin e prodhimeve vendase dhe rritjen e njohjes së tyre, por theksuan se nevojitet më shumë mbështetje nga pushteti vendor dhe ai qendror, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës.
Pjesë e aktivitetit u bënë edhe fëmijët e qendrës kulturore, të cilët sollën atmosferë festive përmes valleve tradicionale, këngëve dhe performancave aerobike.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa, e shoqëruar nga nënkryetaret Maldrita Bardho dhe Elida Mezini, si dhe deputetët Elton Korreshi dhe Asfloral Haxhiu. Ata vizituan nga afër stendat e fermerëve, duke u njohur me produktet dhe punën e tyre. Kryetarja Sefa u shpreh se zona e Darsisë mbetet një ndër zonat më të bukura jo vetëm të Bashkisë Lushnjë, por edhe të gjithë rajonit përreth.
Aktiviteti u zhvillua në kodrën e Mollagjeçit, ku peizazhi natyror dhe atmosfera festive i dhanë një tjetër dimension këtij eventi, duke e kthyer atë në një festë të traditës, kulturës dhe promovimit të vlerave lokale.
