Nga rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” Shqipëria është renditur në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim. Në rezultatet e testimit për programin PISA 2018, Shqipëria u pozicionua në vendin e 61.

Nga ndarja e vlerësimeve për perfomancën e nxënëseve në 3 fasha Shqipëria u rendit në fashën e tretë, ku u kategorizuan vendet me performancë të ulët nën mesataren e Organizatës  për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Në matematikë, Shqipëria mori vlerësimin prej 368 pikë nga 472 pikët e mundshme në matematikëdhe ka rënie  krahasuar me programin PISA 2018 prej 69 pikësh.

Për aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në lexim Shqipëria u vlerësua me 358 pikë nga 476 pikë që është mesatarja e pikëve të mundshme. Edhe në lexim krahasuar me rezultatet e 2018-s rënia është 47 pikë.

Për aftësitë e nxënësve në shkencë  Shqipëria është vlerësuar me 376 pikë nga 485 pikë e mundshmet. Vlerësimi për aftësitë e nxënësve në shkencë rënia është 41 pikë krahasuar me rezultatet e PISA 2018.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria pozicionohet më poshtë, Serbia pozicionohet në vendin e 38-të, dhe Mali i Zi renditet në vendin e 50-të. Maqedonia e Veriut pozicionohet në vendin e 56-të e Kosova pozicionohet në vendin e fundit . Ndërsa në pozicionimin botëror vendin e parë në Europë vijon ta mbajë Estonia. Në renditje vendin e parë e mban Singapori, më pas Kina, Hong-Kong dhe Japonia.

PISA është një studim ndërkombëtar që u fillua nga Organizatës  për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD)  në 1997, u administrua për herë të parë në vitin 2000 dhe tani mbulon mbi 80 vende. Studimi kryhet çdo 3 vjet dhe siguron të dhëna krahasuese mbi performancën e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.

Rezultatet PISA 2022 do të publikohen në pesë vëllime, 2 prej vëllimeve janë bërë publike, ndërsa 3 të tjerët pritet të publikohen në vijim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *