Deputeti i Partisë Demokratike për Lushnjën, Saimir Korreshi, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të infrastrukturës në zonën e Darsisë, në njësinë administrative Ballagat.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, të shoqëruar me video, ai denoncon amortizimin e rrugës kryesore që lidh mbi 10 fshatra me njëri-tjetrin dhe me qytetin e Lushnjës duke theksuar vështirësitë e përditshme të banorëve.
Sipas tij, ndonëse Darsia njihet për bukuritë natyrore dhe shpesh përdoret nga pushteti vendor apo qendror për imazhe promovuese, realiteti në terren është krejt ndryshe, me rrugë të dëmtuara dhe mungesë investimesh prej vitesh.
Denoncimi i tij vjen në një kohë kur banorët e zonave rurale vijojnë të përballen me mungesë infrastrukture bazë, duke e bërë lëvizjen dhe zhvillimin ekonomik edhe më të vështirë.
