Fermerët Erjon Bufasi dhe Afrim Çela nga fshati Gjazë i njësisë administrative Krutje, prej disa vitesh kanë bashkuar kapitalin ekonomik, fuqinë punëtore dhe kanë krijuar tre hektarë sera diellore për prodhimin e perimeve.
Bashkëpunimi ka rezultuar i suksesshëm dhe fermerët në fjalë vazhdojnë të shesin për eksport prodhimin e domates me një çmim mjaft të leverdisshëm duke krijuar të ardhura për familjet e tyre.
Avantazhet e këtij bashkëpunimi janë të dukshme pasi i gjithë prodhimi është i kontraktuar për tregun e jashtëm.
Përdorimi i teknologjisë së lartë, duke filluar nga përzgjedhja e varietetit, plehrat e përdorur si dhe lufta biologjike ndaj dëmtuesve dhe futja e bletëve në kohën e lulëzimit në serë, ka bërë që prodhimi të jetë 100% brenda parametrave të kërkuara nga vendet e Bashkimit Europian.
Gjatë bashkëbisedimit fermerët janë shprehur se edhe shumë fermerë të zonës duke parë rezultatet e tyre, po kërkojnë mundësi për t’u bashkangjitur apo dhe për të krijuar bashkëpunime të tilla.
