Prej disa ditësh, fermerët e Roskovecit po përballen me një çmim tepër të ulët të kastravecit 20 lekë-40 lekë në pikat e grumbullimit, kur në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar tregtohej me 50 lekë, ndërkohë aktualisht në tregje tregtohet nga 120- 150 lekë. Kjo situatë ka bërë që prodhimi të dalë nën kosto, duke i vendosur ata përballë humbjeve të mëdha.
Një tjetër problem serioz mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Sipas tyre, gjithnjë e më pak persona janë të gatshëm të punojnë në bujqësi, çka e vështirëson edhe më shumë situatën në terren.
Përballë kësaj situate shumë fermerë paralajmërojnë se mund të detyrohen të braktisin serat dhe të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit, duke e thelluar më tej krizën në sektorin bujqësor në zonë.
Fermerët kanë kërkuar tabelë javore, pasi luhatjet e vazhdueshme të çmimit po i vendosin përballë pasigurive të mëdha.
