Pavlina Mani aktorja e mirënjohur shqiptare e cila ka realizuar shumë role të spikatura feston sot 77 vjetorin e saj. Ajo u lind në Lushnjë më 13 nëntor 1948. Kur thua emrin Pavlina Mani qytetarët lushnjarë kujtojnë zonjën me sy të bukur, me zërin e ëmbël dhe talentin e pafund që i ka bërë krenar.

Pavlina Mani e ka nisur karrierën e saj artistike në vitin 1966 me filmin “Oshtimë në bregdet”, kur ishte ende studente. Më pas vazhdoi të luante role të shumta të artit skenik dhe filmit shqiptar që janë ngulitur në kujtesën e publikut.

Batutat e Lirisë tek “Pallati 176”, serialit “Njerëz dhe Fate” apo zonjëzës Lulushe, te komedia “Pas vdekjes” i përdorim edhe sot, se janë bërë pjesë e shprehjeve ironike ose me humor të publikut.

Pavlina Mani ka interpretuar me mjeshtëri edhe shumë karaktere të tjerë si Miriam, te “Radiostacioni”; roli te komedia “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit; Antigona, te “Stola në Park”; mësuesja e muzikës, te “Lulëkuqet mbi mure”, e tjerë.

Ajo e mbylli karrierën me rolin e nënës së Florit, në serialin “Njerëz dhe fate”. Është nderuar me disa çmime. Prej vitit 2002 jeton me familjen e saj në SHBA.

Pavlina Mani është bashkëshortja e regjisorit të ndjerë Pirro Mani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *