Departamenti i Shtetit publikoi rishikimin vjetor për transparencën fiskale. Shqipëria renditet ndër 71 vendet që kanë përmbushur kriteret minimale, ndërsa gati gjysma e shteteve të vlerësuara rezultuan të papërshtatshme.

Shqipëria ka kaluar me sukses testin e transparencës fiskale të zhvilluar nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së për vitin 2025.

Në raportin e publikuar së fundmi, 71 shtete, mes tyre edhe Shqipëria, janë vlerësuar se përmbushin kërkesat minimale të transparencës fiskale, ndërsa 69 shtete të tjera nuk kanë arritur nivelin e duhur. Nga këto të fundit, vetëm 26 kanë bërë përparim të dukshëm.

Procesi i rishikimit, i cili mbulon periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024, analizon nëse qeveritë bëjnë publikimin e plotë të dokumenteve buxhetore, shpenzimeve të ministrive, të ardhurave sipas burimeve dhe kontratave të lidhura me shfrytëzimin e pasurive natyrore.

Një tjetër element i rëndësishëm është ekzistenca e një institucioni suprem auditimi, i pavarur dhe funksional, që siguron kontrollin mbi financat publike.

Në rastin e Shqipërisë, raporti thekson se kriteret janë përmbushur, duke përfshirë publikimin e buxhetit të miratuar, raportit vjetor dhe transparencën mbi kontratat e koncesioneve.

Përfshirja në listën e vendeve që plotësojnë standardet shihet si një tregues pozitiv në procesin e afrimit me standardet ndërkombëtare dhe rritjes së besueshmërisë në menaxhimin e financave publike.

Nga ana tjetër, raporti evidenton se shumë vende nuk kanë arritur ende të sigurojnë një transparencë të plotë.

Në veçanti, problemet më të zakonshme lidhen me mungesën e dokumenteve të plota buxhetore, mos-publikimin e kontratave të burimeve natyrore dhe mungesën e auditimeve të pavarura.

Raporti është pjesë e angazhimeve të SHBA-së për të promovuar sundimin e ligjit dhe transparencën ekonomike në mbarë botën. Për Shqipërinë, ky vlerësim konsiderohet një pikë force në rrugën e integrimit evropian dhe një konfirmim i përpjekjeve për të rritur llogaridhënien publike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *