Mbrëmjen e djeshme në teatrin “Bylis”, në Fier është çelur sezoni i ri teatror pas një pauze disa mujore gjatë sezonit veror me komedinë “Pleqëri me kusure” që solli të qeshura e duartrokitje nga publiku .
Sallën u mbush plot nga artdashësit fierakë, të cilët mirëpritën me entuziazëm lojën skenike të aktorëve, duke e kthyer premierën në një mbrëmje plot emocione dhe energji pozitive.
Komedia sjell përmes humorit mesazhin se pleqëria nuk është fundi i rrugës, por një fazë e jetës. Komedia përqëndrohet te përditshmẽria e një çifti mësuesish në pension, Margarita dhe Viktori. Përballë tyre banon komshiu i tyre kurioz, Lefteri, i cili iu dëgjon bisedat përmes murit ndarës dhe nga kjo situatë lindin momente të papritura , batuta, keqkuptime dhe shumë situata komike, të fshehta, intriga dhe në fund një enigmë që zgjidhet.
Organizatorët bëjnë me dije se ky është vetëm fillimi i një sezoni të pasur artistik, ku në skenën e teatrit “Bylis” do të ngjiten trupa teatrore nga i gjithë vendi, me vepra që synojnë të sjellin emocione, reflektim dhe argëtim për publikun.
