Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Korçë, ku fëmijë janë dërguar me urgjencë në Pediatrinë e Spitalit të qytetit, pasi dyshohet se janë helmuar. Siç u raportua nga blutë fëmijët e moshave 3, 7 dhe 10 vjeç janë dërguar nga familjarët për të marrë ndihmë mjekësore. Fillimisht familjarët kanë deklaruar se fëmijët kanë konsumuar disa karamele të cilat i kishin gjetur pranë një koshi mbeturinash, në rrugë. Por më pas u bë me dije se tre motrat kishin konsumuar disa karamele të gjetura pranë një koshi mbeturinash të cilat dyshohet se kanë përmbajtje të esencës së lëndëve narkotike hashash. Nga ana e policisë është konfirmuar totalisht që karamelet janë gjetur në koshin e mbeturinave dhe nuk ua ka dhënë asnjë person tjetër. Gjithashtu bluzat e bardha bëjnë me dije se në gjendje të rëndë shëndetësore është vetëm 3-vjeçarja, e cila në këto momente po intubohet në reanimacionin e spitalit të Korçës. Ndërsa dy vajzat e tjera fatmirësisht e kanë kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhen në gjendje stabile dhe nën kujdesin e mjekëve në pediatri. Ndërkohë autoritetet po vijojnë hetimet e plota për ngjarjen e rëndë.
