Duket se opozita është në një linjë sa i takon aksioneve të fundit politike. Partia e Lirisë i është bashkuar nismës së Partisë Demokratike me 3 kërkesat e deklaruara sot pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat.
Me një konferencë të përbashkët për shtyp nga Kryesia e PL, sekretari i përgjithshëm, Tedi Blushi në prani edhe të deputetëve Erisa Xhixho, Brunilda Haxhiu dhe Edmond Haxhinasto, akuzoi mazhorancën për shkeljen e Kushtetutës.
“Si grup parlamentar i bashkohemi qëndrimit të grupit parlamentar të PD-së për përsëritjen e seancës plenare, i bashkohemi thirrjes ndaj Presidentit të Republikës që të ngrihet në lartësinë e detyrës, për të mos pranuar betimin e këshillit të ministrave dhe do i bashkohemi gjithashtu mocionit të mosbesimit për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi. Programi i qeverisë nuk jep asnjë përgjigje konkrete, nuk të jep shpresë, me taksa të larta dhe paga mizerable. Po shpenzohen miliona euro për dy TEC-e lundruese që nuk prodhojnë energji. Pse një kilometër rrugë do na kushtojnë 7-7 herë më shtrenjtë se vendet në rajon dhe Evropë, kurse në fshatra nuk ka qendra shëndetësore. Shqiptarët dhe të rinjtë braktisin vendit, kurse oligarkët pasurohen. Edi Rama e shfaq urrejtjen e tij për Kosovës, teksa në programin e qeverisë Kosova nuk përmendet në asnjë paragraf. Vizioni i tij është lufta me qytetarët dhe antikombëtare. Shqipëria vendi më i pasigurt për jetën”, tha Blushi.
