Në një video-mesazh të transmetuar në televizionin shtetëror, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka reaguar për herë të parë pas përshkallëzimit të konfliktit me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar qëndrimin e Teheranit si një “fitore” ndaj ushtrisë amerikane.
“Shtetet e Bashkuara nuk arritën asnjë objektiv strategjik nga ky përballje,” deklaroi Khamenei, duke theksuar se përfshirja e Uashingtonit nuk lidhej me interesat e veta të drejtpërdrejta, por me frikën për kolapsin e Izraelit. “Amerikanët ndërhynë sepse menduan se, nëse nuk vepronin, Izraeli do të shkatërrohej plotësisht,” shtoi ai.
Lideri 86-vjeçar vlerësoi qëndrueshmërinë e popullit iranian dhe theksoi se qëndrimi i Iranit “parandaloi epërsinë e armikut.” Ai përgëzoi qytetarët për “vendosmërinë dhe moralin e lartë” në përballje me tensionet.
Kjo deklaratë vjen pas shpalljes së një armëpushimi nga presidenti amerikan Donald Trump, ndonëse marrëveshja është shoqëruar me shkelje të ndërsjella nga të dy palët në orët e para.