Autoritetet britanike japin alarmin, duke thënë se me qindra njerëz mund të vdesin nga vala e të nxehtit që po “përvëlon” Anglinë dhe Uellsin.
Një nivel i tillë jetësh të humbura sipas tyre nuk do të ndodhte pa ngrohjen globale të shkaktuar nga njeriu, me temperaturat e rritura me 2-4 gradë Celsius nga ndotja nga lëndët djegëse fosile. Këto vdekje të parakohshme parashikohen në të dy rajonet, por normat më të larta të vdekshmërisë priten në Londër.
Shumica e vdekjeve apo 85%, sipas mediave britanike, parashikohet të jenë persona të moshaës mbi 65 vjeç, të cilët konsiderohen edhe më të cënueshëm prej nxehtësisë ekstreme. Më të rrezikuarit janë ata që banojnë në qytet. Valët e të nxehtit gjatë stinës së verës kanë marrë nga 2020-ta deri në 2024-tën më shumë se 10,000 jetë njerëzish, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar.
Kritikët i përshkruajnë si të pamjaftueshme përgatitjet e qeverisë për të mbrojtur njerëzit nga ndikimet në rritje të krizës klimatike. “Valët e nxehtësisë janë vrasëse të heshtura – njerëzit që humbasin jetën në to zakonisht kanë probleme shëndetësore para-ekzistuese dhe jo gjithmonë, listohet nxehtësia si shkak kontribues i vdekjes”, thanë ekspertë nga Imperial College London, që thonë se analiza e tyre në kohë reale zbulon numrin e fshehur të valëve të nxehtësisë. Ne duam që në këtë mënyrë të kontribuojmë në dhënien e alarmit”, shprehen ata.