Shfaqja “Shtëpia e Bernarda Albës”, kryevepra e shkrimtarit Federico Garsia Lorca do të luhet në skenën e Qendrës së Artit sot dhe nesër nga të rinjtë e kursit të aktrimit me regji të Shahin Petritaj, nën kujdesin e bashkisë.
Një dramë që dallon për luftën mes personazheve, tensionin që vazhdimisht rritet për të treguar që e gjithë atmosfera dhe zymtësia i ka rrënjët aty në Shtëpinë e tyre, të mbjella nga vetë e zonja e saj Bernarda Alba, një grua dominuese e cila pas vdekjes së burrit të dytë, vendos të mbajë një periudhë zije që sipas traditës së familjes duhet të zgjasë për tetë vjet duke i ndaluar kategorikisht vajzat e saj të kenë lidhje dashurore
Një dramë që përcjell shumë mesazhe të fuqishme, ku më kryesori është që diktaturat në një moment të caktuar marrin fund, thotë regjisori Shahin Petritaj.
Artistët e rinj që do interpretojnë janë Briseid Dervishi, Kleopatra Çapani, Alesia Hysenaj, Klea Arapi, Adriana Tabaku, Griselda Hidri dhe Ersa Kadiu. Skenografia është realizuar nga Elidor Hajdini, Mjeshtër skene Albert Hysko, muzika Enea Boriçi dhe ndriçimi Faik Levonja. Hyrja është e lirë për të gjithë qytetarët që duan ta ndjekin shfaqjen “Shtëpia e Bernarda Albës”.
