Zjarri 9 orésh i përmasave të mëdha që përfshiu mesditën e së dieles zonën mes fshatrave Drizë dhe Peshtan në bashkinë Fier , la pas dëme te mëdha. Një ditë më pas, banorët pohojnë se bilanci i dëmeve është i konsiderueshëm, në banesa, në mjete bujqësore, shpesë, vreshta , ullishte, por edhe në bazë ushqimore për bagëtitë.
Njëzëri ata pohojnë se kurrë më parë nuk kanë pare një zjarr të tillë në zonën e tyre, që të rrezikonte banesat dhe jetët e njerëzve , teksa shprehin mirënjohjen për ndërhyrjen e shpejtë të forcave të policisë, zjarrfikësve dhe helikopterëve të Forcave të Armatosura, te cilët bënë të mundur neutralizimin në kohë të flakëve .
Shumë prej banorëve të zonës kanë ardhur nga jashtë vendit të alarmuar, pasi janë informuar për situatën problematike të shkaktuar nga përhapja e flakëve.
Ndërkohë policia ka arrestuar autorin e dyshuar të zjarrvënies, 20 – vjeçarin Nikolla Jaso, banues në Drizë i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën në pronësi të babait të tij për djegjen e disa barishteve, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit, ndërsa banorët apelojnë për kujdes në ndezjen e pakontrolluar të zjarreve në këto ditë të nxehta.
Ndërkohë sipas të dhënave nga sektori i mbrojtjes pranë Prefekturës Fier, zjarri i djeshëm përshkoi rreth 110 hektarë sipërfaqe me shkurre dhe ullishte.
