Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti ka nisur premtimet pak para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të zhvillohet në Kosovë më 7 qershor. Gjatë prezantimit të planprogramit për katër vitet e ardhshme, Kurti u shpreh se nga viti 2026 do të nis përcaktimin me ligj të pagës së 13-të për sektorin publik, por edhe për sektorin privat.
Ai theksoi se synimi është që të planifikohet gradualisht edhe paga e 14-të. Kjo pasi sipas tij, çdo familje duhet të ketë më shumë siguri për pushimet, për shpenzimet sezonale dhe nevojat familjare.
“Nga viti 2026 do të nisim përcaktimin me ligj të pagës së 13-të për sektorin publik, por edhe për sektorin privat. Pas dialogut me sektorin privat, synimi ynë është që në bashkërendim me bizneset dhe me punëtorët ta planifikojmë gradualisht edhe pagën e 14-të. Sepse çdo familje duhet të ketë më shumë siguri për pushimet, për shpenzimet sezonale dhe nevojat familjare. Ndërkaq bizneset të kenë më shumë stabilitet, më pak largim të punëtorëve dhe fuqi punëtore më të sigurt e më të motivuar”, tha Kurti.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.
