Përfaqësuesit e partive politike kanë shprehur pajtim që 7 qershori të jetë datë e zgjedhjeve, pas takimit që kanë pasur me ushtruesin e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare – të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.

Vendimi i Haxhiut të enjten vjen pak pas mbajtjes së një takimi me liderë dhe përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Haxhiu, ka thënë se kjo u bë pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ, dhe rëndësisë së pjesëmarrës sa më të gjerë të qytetarëve.

“Siç jeni në dijeni pas dështimi të Kuvendit për të zgjedhur presidentin, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda afatit prej 45 ditëve. Dje kam pritur në takim Kryesuesin Kreshnik Radoniqi me të cilin kemi diskutuar për zgjedhjet. Ndërsa sot përmbylla takimin me përfaqësues të subjekteve politike. Dëgjova propozimet e partive për datën e zgjedhjeve. Pas vlerësimit të afateve Kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së, dhe rëndësisë së pjesëmarrjes, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme të mbahen 7 qershor”.

Sipas përfaqësuesve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së 7 qershori është data adekuate.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se data më e kërkuar për të mbajtur zgjedhjet ishte 7 qershori.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, cilado nga datat brenda afateve kushtetuese dhe brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e pranueshme, qoftë ajo data 31 apo data 7, kështu që ne jemi të përgatitur, të jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të respektojmë afatet ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë ai, duke treguar edhe preferencën e partive tjera për datën.

“Shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7. Po sidoqoftë ne do të marrim në konsideratë edhe vullnetin e punës dhe arsyet që zgjedhjet të jenë sa më mirë të përgatitura, dhe normal edhe KQZ-ja ka punën e vet, vlerësimin e vet të punës, të gjitha përgatitjet e nevojshme. Edhe prandaj ne jemi fleksibil rreth asaj se a është 31 apo 7”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkua 7 qershorin.

Ish-shefja e Grupit Parlament të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë me dije se LDK-ka pajtohet më këtë datë.

“Si LDK dhamë opinionin tonë që të shpallet data e 7 qershorit si data e zgjedhjeve, pasi ishte një arsyetim edhe i KQZ-së për një organizim sa më profesional të zgjedhjeve, dhe ne e mirëkuptojmë këtë kërkesë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Kurse, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se ka një konsensus në mes të partive politike që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor.

“Ka një dakordancë që do ta zgjedhim të jetë 7 qershori. Po duket se ka konsensus që të jetë data 7 qershor. Zgjedhjet janë shans, pak shumë i ka deshtë tash. Janë shans për vendin, ne po bëhemi gati për me ia dhënë Kosovës stabilitetin”.

Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.

Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme dhe 7 qershori ishte data e fundit e mundshme.

Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh, pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025, që sipas ekspertëve e kanë futur vendin në krizë institucionale sistematike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds