Kardinalët në Vatikan kanë konfirmuar se varrimi i Papa Françeskut do të zhvillohet ditën e shtunë, më 27 prill. Kjo do të shënojë gjithashtu edhe ditën e parë të nëntë ditëve të zisë. Vatikani ka njoftuar gjithashtu se arkivoli me trupin e Papa Françeskut do të dërgohet në Bazilikën e Shën Pjetrit të mërkurën në mëngjes në orën 09:00. Arkivoli i Papës do të jetë aty deri në varrim, në mënyrë që publiku të bëjë nderimet e tyre. Ai do të jetë Papa i parë në më shumë se një shekull që nuk do të varroset në Vatikan, në kriptin e Bazilikës së Shën Pjetrit, por në vend të kësaj do të vendoset të prehet në Bazilikën e Shën Marisë Major të Romës. Papa kërkoi gjithashtu që të varrosej në një arkivol të thjeshtë prej druri, ndryshe nga paraardhësit e tij që u varrosën në tre arkivole tradicionale të bëra nga selvi, plumbi dhe lisi. Vatikani paraditen e sotme ka publikuar fotografitë e Papa Françeskut në arkivolin e tij. Imazhet janë marrë në kapelën e Casa Santa Marta, rezidenca e Françeskut në Vatikan. 24 orë pas ndarjes nga jeta të Papë ka reaguar edhe ministria e Jashtme e Kinës. Kina ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e Papa Françeskut. Ata theksuan se Kina është e gatshme të bëjë përpjekje të përbashkëta me Vatikanin për të promovuar përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Presidenti i SHBA, Donald Trump ishte ndër liderët e parë që njoftoi se do të merrnin pjesë në funeralin e Papa Françeskut. I pranishëm do të jetë edhe presidenti francez Emmanuel Macron. Konfirmimin e prezencës e ka njoftuar edhe lideri ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Në të njëjtën kohë, ka shumë të ngjarë që Princi William të marrë pjesë gjithashtu për të përfaqësuar familjen mbretërore.