Prokuroria ka nisur hetimet për Mirel Çokaj, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në Malësinë e Madhe. Bëhet me dije se Prokuroria e Shkodrës ka hapur hetimet lidhur me vdekjen e Çokaj, ku policia fillimisht tha se ishte një ngjarje aksidentale.

Pas dyshimeve të familjarëve dhe të afërmve për një vrasje të mundshme të 40 vjeçarit, prokuroria e Shkodrës nuk e ka pushuar çështjen por ka hapur hetimet fillimisht për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes”.

Personi që ngriti dyshimet për një vrasje të mundshme duke vënë në lëvizje policinë e Malësisë së Madhe, është Rifat Çokaj, një i afërm i viktimës që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa më përpara për shumë vite ka qenë pjesë e policisë duke mbajtur edhe detyra të rëndësishme.

Si ndodhi ngjarja e rëndë

Ngjarja ndodhi më 18 shtator të këtij viti kur policia mori njoftimin se një person ishte rrëzuar në fshatin Kozhnje të Malësisë së Madhe. Në orët e pasdites fillimisht përmes dronit, efektivët konfimuan se trupi i pajetë i përkiste shtetasit Mirel Çokaj. 24 orë pas njoftimit u bë e mundur nxjerrja e viktimës nga humnera përmes një helikopteri të Forcave të Ushtrisë të cilët erdhën dhe nxorën trupin e pajetë.

Dyshimet e të afërmve lidhen me një vrasje të mundshme pasi sipas tyre Mirel Çokaj para se të humbte jetën ndodhej në një parcelë droge rreth një orë larg vendit ku u gjet. Sipas familjarëve 40 vjeçari parcelën e drogës e kishte bashkë me disa ortakë të tjerë dhe dyshojnë se njëri prej tyre të paktën mund ta ketë shtyrë shtetasin Mirel Çokaj drejt humnerës me qëllim për të mos i dhënë pjesën e fitimit që i takonte nga ky biznes i paligjshëm.

Kanabisi i kultivuar atje ishte gati për t’u korrur dhe për t’u bërë gati për treg dhe pikërisht në këto momente Çokaj u gjet i pajetë në humnerë. Të afërmit shtuan dyshimet edhe për faktin se telefoni celular i viktimës nuk është gjetur ende dhe mendojnë se personi që e ka shtyrë ka zhdukur edhe celularin dikund në humnerë duke e bërë të pamundur që të gjendet më.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *