Prokurori i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Alfred Shehu, bëri të ditur sot se për vitin 2027, buxheti i institucionit arrin në 2.3 miliardë lekë.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, lidhur me projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”, Shehu tha se nevojat e rishikuara mbeten në nivelin e 2.5 miliardë lekëve.
Shehu u ndal edhe te ecuria e buxhetit të SPAK ndër vite, duke bërë të ditur se nga viti 2020 deri në vitin 2026, plani vjetor është rritur nga 327 milionë lekë në 2.3 miliardë lekë, ose me 608%. Ndërsa shpenzimet faktike janë rritur nga 167 milionë lekë në 1.3 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 709%.
“Gjatë periudhës 2020-2026, buxheti ka shënuar një rritje të konsiderueshme, si rezultat i shtimit të volumit të punës, rritjes së numrit të punonjësve dhe zgjerimit të aktivitetit institucional. Konkretisht, plani vjetor i buxhetit është rritur nga 327 milionë në vitin 2020 në 2.3 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 608%. Ndërkohë, shpenzimet faktike janë rritur nga 167 milionë në vitin 2020 në 1.3 miliardë në vitin 2026, ose rreth 709%.
“Për vitin 2027, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka paraqitur kërkesa shtesë për shtimin e 25 pozicioneve të reja në strukturën organike, përkatësisht tetë pozicione në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 pozicione në BKH. Këto kërkesa synojnë forcimin e kapaciteteve administrative, teknike dhe operacionale të të dy strukturave, në funksion të përballimit të volumit në rritje të veprimtarisë hetimore dhe sigurimit të mbështetjes së nevojshme për përmbushjen efektive e misionit institucional. Në projektligjin për buxhetin e vitit 2027, rezulton se kjo kërkesë të jetë pranuar dhe parashikuar”, tha ai.
Sipas Shehut, diferenca prej 209 milionë lekësh lidhet kryesisht me shtimin e 25 pozicioneve të reja në strukturën organike dhe mbulimin e pagesave për gatishmëri dhe orët jashtë orarit.
Konkretisht, 50 milionë lekë lidhen me efektin financiar të shtimit të 25 punonjësve, ndërsa 159 milionë lekë nevojiten për pagesat e gatishmërisë dhe orët jashtë orarit.
“Në lidhje me kërkesat buxhetore shtesë për këtë projektbuxhet afatmesëm, në kuadër të hartimit të programit buxhetor afatmesëm, SPAK-u ka paraqitur kërkesat buxhetore për periudhën afatmesme për vitin 2027-2029, në përputhje me nevojat për përmbushjen e funksioneve dhe objektivave institucionalë. Kërkesat buxhetore të paraqitura rezulton se tavanet përfundimtare të miratuar për secilin vit periudhë, po flasim për 2027-ën, nevoja e SPAK-ut ka qenë 2.5 miliardë lekë tavan dhe rezultojnë 2.2 miliardë dhe me mungesë e miratuar në projektbuxhet dhe mungesa është tek 245 milionë lekë”, tha ai.
“Këto kërkesa shtesë mbi politikat ekzistuese në total për vitin 2027 janë në masën 245 milionë lekë, dhe kanë të bëjnë me shpenzime, paga dhe sigurime, në shumën 209 milionë lekë, shpenzime për mallra dhe shërbime në shumën 31 milionë lekë, shpenzime për transferta korrente të huaja në shumën 2.5 milionë lekë, shpenzime për transferta dhe buxhete familjare dhe individë në shumën 2.3 milionë lekë”, tha ai.
Shehu theksoi se “konkretisht, është miratuar një shtesë prej 46 milionë lekë mbi tavanin e miratuar, që përfshin 10 milionë lekë në kategorinë ekonomike “Paga dhe sigurime shoqërore”, për të reflektuar efektin financiar që rrjedh nga ndryshimi i pagës referuese të magjistratit. 36 milionë lekë në kategorinë ekonomike “Mallra dhe shërbime”, për mbulimin e nevojave të institucionit nga fondi i planifikuar për mallra dhe shërbime rezulton një tepricë prej 4.8 milionë lekë plus krahasuar me kërkesën e paraqitur. Kjo shumë parashikohet të rialokohet gjatë vitit 2027 në kategorinë ekonomike të transfertave buxhetore, me qëllim mbulimin e kërkesave shtesë të paraqitura nga institucioni”.
Për vitin 2027, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë kërkuar shtimin e 25 pozicioneve të reja, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në BKH.
“Për vitin 2027, pas rishikimit të kërkesave dhe reflektimit shtesë prej 46 milionë lekë në projekt-buxhetin e miratuar, buxheti i institucionit është 2.3 miliardë lekë, ndërkohë që nevojat e rishikuara arrijnë në 2.5 miliardë lekë. Për rrjedhojë, ka një diferencë financimi prej 209 milionë lekë, e cila lidhet kryesisht me shtimin e organikës, me 25 punonjës, dhe mbulimin e pagesave për gatishmëri dhe orët jashtë orarit. 50 milionë lekë për efektin financiar të shtimit të organikës me 25 punonjës dhe 159 milionë lekë për mbulimin e pagesave të gatishmërisë dhe orëve jashtë orarit.
“Kërkesat buxhetore për shpenzimet e pagave dhe sigurimeve shoqërore për llogariten mbi bazën e strukturës organike të miratuar. Për këtë arsye, në raport me tavanin buxhetor, rezulton dhe kjo diferencë prej 209 milionë lekësh, e lidhur me efektin financiar të 25 pozicioneve të reja dhe pagesat e gatishmërisë e orëve jashtë orarit. Megjithatë, kjo diferencë nuk përbën kërkesë shtesë për financim, pasi realizimi faktik i fondeve të pagave aktualisht është 60% dhe pritet të vijojë të ndikohet nga vakancat e ekzistues dhe koha e nevojshme për përfundimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve dhe oficerëve të policisë gjyqësore” , tha ai.
