Prokuroria e Posaçme ka kërkuar përfshirjen e një psikologu institucional në strukturën e saj për vitin 2027, me argumentin se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit përballen me presione psikologjike, kërcënime dhe ngarkesë të lartë në punën e tyre.

Kërkesa u paraqit gjatë raportimit të SPAK në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua projektbuxheti i institucionit për vitin 2027.

Drejtori i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në SPAK, Armand Shini, shpjegoi se psikologu do të ofrojë mbështetje për punonjësit e BKH-së, por do të ketë edhe një rol në procesin hetimor, duke asistuar hetuesit gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore.

Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, deklaroi Shini.

Gjatë raportimit, SPAK paraqiti edhe kërkesat për zgjerimin e strukturës dhe investimet për vitin e ardhshëm. Për vitin 2027 janë kërkuar 25 pozicione të reja pune, tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në BKH.

Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione, ndërsa numri efektiv i punonjësve është 220. Në total rezultojnë 119 vende vakante, pjesa më e madhe e të cilave në BKH.

Sa u përket investimeve, janë parashikuar 15 milionë lekë për pajisje zyre, përfshirë kasaforta, grirëse dokumentesh dhe mobilje, 30 milionë lekë për blerjen e tetë automjeteve dhe 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *