Prokuroria e Fierit ka kërkuar dhe marrë nga gjykata masën e sigurisë “Arrest në burg” për katër persona, mes tyre Arben Voja, ish-drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, aktualisht drejtor i spitalit të Fierit, të dyshuar për tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 44.100 metrash katrorë tokë në pronësi të shtetit.

Në të njëjtën çështje është caktuar masa “Arrest në burg” edhe për një ish-kryetar të njësisë administrative, Dilaver Shyti, një specialist jurist të Kadastrës, Fjorelo Bida, dhe një notere, Anila Haxhiu. Ndërsa për një tjetër punonjëse të Kadastrës, me detyrë specialiste hartografe, gjykata ka vendosur “Ndalimin e daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Gjatë kontrollit në banesën e Arben Vojas në Fier, hetuesit kanë gjetur në një sirtar të mbyllur me çelës shtatë zarfe me para, ku ishin shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme.

Në total janë sekuestruar 31.720 euro, 608 mijë lekë, 5 mijë korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Po ashtu, në të njëjtën dhomë janë gjetur dhe sekuestruar 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu.

Hetimi ka nisur pas kallëzimit të një qytetari, i cili pretendoi se një tokë arë në fshatin Povelçë të Fierit ishte kaluar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe pëlqimin e saj. Sipas Prokurorisë, nga hetimet dyshohet se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 44.100 metrash katrorë, e regjistruar fillimisht në pronësi të shtetit dhe e kaluar më pas në pronësi private përmes një zinxhiri dokumentesh me përmbajtje të falsifikuar.

Për regjistrimin e tokës dyshohet se është përdorur një certifikatë pronësie e vitit 2007, për të cilën ekzistojnë dyshime se është e falsifikuar, si dhe një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike, mbishkrime dhe fshirje. Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu probleme me dy prokura noteriale, pasi, sipas tyre, firmat e personave që përfaqësoheshin ishin marrë në fletë të bardha, ndërsa njëra prej tyre ndodhej jashtë Shqipërisë në kohën e hartimit të prokurës.

Sipas organit të akuzës, mekanizmi dyshohet se është realizuar duke përdorur të dhënat e regjistrimit të një prone tjetër prej 4 mijë metrash katrorë, për të cilën familja kishte një certifikatë pronësie të vitit 2007. Këto referenca dyshohet se janë përdorur për të regjistruar në emër të familjes edhe sipërfaqen prej 44.100 metrash katrorë, megjithëse për këtë të fundit nuk ekzistonte titull pronësie.

Kartela e rifreskuar e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale janë lëshuar nga Kadastra Fier më 25 janar 2023, vetëm pesë ditë përpara lidhjes së kontratës së shitjes. Më 30 janar 2023, toka iu shit personave të tretë për shumën prej 88.200 eurosh, me qëllim ndërtimin e një parku fotovoltaik. Prokuroria dyshon se kontrata është negociuar dhe nënshkruar nga ish-kryetari i njësisë administrative, i cili vepronte si përfaqësues me prokurë i familjes shitëse, pa dijeninë e kësaj të fundit.

Shuma e përfituar nga shitja dyshohet se është kaluar në llogarinë bankare të përfaqësuesit dhe nuk u është dorëzuar pronarëve të pretenduar. Pas kallëzimit, i njëjti person dyshohet se u ka dhënë të dëmtuarve 15 mijë euro në dorë, me qëllim që ata të tërhiqnin denoncimin.

Arben Voja, i cili në kohën e kryerjes së veprimeve ushtronte detyrën e drejtorit të Kadastrës Fier, dyshohet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Ndërkohë, ish-kryetari i njësisë administrative hetohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Specialisti jurist i Kadastrës dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa noterja për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim.

Prokuroria bën me dije se dyshime për të njëjtën skemë tjetërsimi ekzistojnë edhe për prona të tjera shtetërore. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *