Tregu i sigurimeve u rrit me 7% për vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto arritën një vlerë totale prej 24.5 miliardë lekësh ose rreth 250 milionë eurosh. Rritja e tregut ishte më e ulëta në periudhën pas pandemisë. Megjithatë, pjesërisht ky ngadalësim është ndikuar edhe nga vazhdimi i forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor me euron.
Sipas Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 100.71 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kursi mesatar i këmbimit të euros me lekun ka rënë me 7.4% krahasuar me vitin 2023. Sipas të dhënave të AMF-së, deri në fund të 6-mujorit 2024, afërsisht 33% e primeve të shkruara bruto në sigurime ishin të llogaritur në valutë të huaj, kryesisht në euro.
Tregu i sigurimeve edhe vitin e kaluar u dominua nga segmenti segmenti i sigurimeve të Jo-Jetës, që për vitin 2024 përbënin afërsisht 91.5% të primeve të shkruara bruto. Pesha e këtij segmenti shënoi një rënie të lehtë nga niveli prej 91.8 i vitit 2023. Brenda sigurimeve të jo-jetës, sigurimet e detyrueshme motorike ngelen dukshëm produktet me peshën kryesore, me 67.15% të primeve të shkruara bruo, megjithëse me një rënie të ndjeshme nga niveli prej 66.5% i një viti më parë.
Primet nga sigurimet motorike u rritën me 7.7% krahasuar me vitin 2023. Kontributin kryesor e dha sigurimi i brendshëm motorik TPL, me një rritje prej 9.3%, ndërsa Kartoni Jeshil shënoi një rritje modeste me 3% dhe produkti i sigurimit kufitar pësoi rënie me 9.5%. Në rastin e Kartonit Jeshil dhe sigurimit kufitar, megjithatë, një efekt frenues pjeërisht ka luajtur edhe kursi i këmbimit.
Produktet më të rëndësishme të sigurimit vullnetar, ato të lidhura me sigurimin e pronës, shënuan rritje më të ulët se mesatarja e tregut. Sigurimi ndaj zjarrit dhe forcave të tjera të natyrës u rrit me 4.3%, ndërsa sigurimi kundrejt dëmeve të tjera në pronë me 3.2%. Rritje të lartë edhe për vitin e kaluar shënoi sigurimi Kasko i mjeteve, me 18.7%.
Rritja e këtij segmenti është mbështetur sidomos nga kërkesa në rritja në biznesin e makinave me qira, e lidhur në një masë të madhe me ciklin pozitiv të turizmit. Segmenti më i vogël i tregut, ai i sigurimit të Jetës, shënoi edhe për vitin 2024 ritme më të larta të rritjes se mesatarja, me 11.4% krahasuar me një vit më parë.
Pesha specifike e këtij tregu ngelet e ulët, me 8.5% të primeve të shkruara bruto të tregut, por me një rritje të lehtë nga niveli prej 8.1% I vitit 2023. Edhe në këtë segment dominon produkti faktikisht i detyrueshëm i sigurimit të jetës së debitorit, me 79% të primeve të shkruara bruto.
Ndërkohë, e shprehur në numër kontratash, rritja e tregut gjatë vitit 2024 ishte disi më e lartë, por sërish në ngadalësim krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar u nënshkruan gjithsej gati 1.6 milionë kontrata sigurimi, në rritje vjetore me 8.8% (për 2023 rritja kishte qenë 10.6%). Në numër kontratash rritja më e lartë u shënua në segmentin e Jetës, me 13.4%, ndërsa në tregun e Jetës rritja ishte afërsisht 8.4%.