Emigracioni sidomos i të rinjve nga Shqipëria kanë krijuar mungesa shqetësuese të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe shumë shpejt tregu i punës do të jetë në emergjencë për punonjës. Kështu është shprehur nga Fieri , kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolla i pranishëm në një takim me fokus “Zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kolektive të punës dhe reformimit tërësor të sistemit të pagave”. Tregu i punës prej 3 vitesh i ka dhënë sinjalet e veta që ka qënë i uritur, ndërkohë që qeveria i ka paraprirë me disa ndryshime ligjore që nuk kanë qënë të efektshme, tha Nikolla.
Vetëm pak ditë më parë një 15-vjeçar humbi jetën në një lavazho në Kuçovë , një ndër rastet e shumta të aksidenteve në punë që kanë ndodhur së fundi në Shqipëri . Kjo është një situatë alarmante, ka thënë Nikolla, pasi siguria në punë dhe respektimi i kushteve teknike nga punëdhënës të shumtë ende nuk është kthyer në kulturë punë.
Ndër të tjera kreu i Konfederatave foli edhe për çështjen e punësimit në të zezë si dhe largimet ë padrejta nga puna. Sipas tij zyrat juridike kanë asistuar 1600 ankesa ku 1270 prej tyre janë zgjidhur në favor të punonjësve.
Çështjet e punësimit sipas Nikollës janë një sfidë e vazhdueshme, ku para së gjithash duhet të zbatohet ligji.