Dy shtetas me origjinë kineze janë kapur nga Policia Kufitare në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas pasi tentuan që të fusnin në Shqipëri 61 kilogram kanabis, të ndarë në katër valixhe. Lënda narkotike ishte nisur nga Tajlanda me tranzit në Emiratet e Bashkuara dhe më pas drejt Shqipërisë. Pas sinjalizimit, autoritetet e huaja lajmëruan vendin tonë për dy shtetasit kinezë 37 dhe 48 vjeç, të cilët i kapen dhe i arrestuan menjëherë në Rinas.
Rasti më pas është përcjellë te Antidroga e Tiranës për hetime të mëtejshme. Kanabisi me përqindje të lartë THC, nëse do të dilte në treg do të kapte një vlerë të konsiderueshme parash.
Lënda narkotike e cila u sekuestrua si provë materiale ishte ndarë në 120 pako dhe e paketuar me qesen e frutit ‘durian’ dhe në valixhe me qëllim shitjen në Shqipëri.
Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
