Dy persona të maskuar hynë në zyra dhe kanë shkatërruar disa prej pajisjeve që ndodheshin në sallën e mbledhjeve.

TIRANË- Janë zbuluar detaje të reja nga hetimet e ngjarjes së ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar në zyrat e kompanisë telefonike “One”. Dy persona të maskuar hynë në zyra dhe kanë shkatërruar disa prej pajisjeve që ndodheshin në sallën e mbledhjeve.

Ky sulm nuk ishte denoncuar nga punonjësit e sigurisë, ndërsa prokuroria dhe policia kanë nisur edhe këqyrjen e tabulateve telefonike të punonjësve të kompanisë dhe kontaktet e tyre me drejtuesit e kompanisë më datë 25 dhjetor 2024 dhe më pas për të zbuluar shkaqet pse e fshehën ngjarjen. 

Aktualisht lidhur me ngjarjen janë proceduar penalisht 8 persona, ndërsa rojet e sigurisë të kompanise “Nazeri”, të cilët janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, kanë deklaruar se nuk e kanë raportuar ngjarjen sepse nuk donin që të prishnin imazhin e kompanisë. Grupi hetimor ka arritur të zbulojë se një pjesë e kamerave të sigurisë më datë 25 dhjetor 2024 ditën e ngjarjes nuk funksiononin në kompani.

Kjo ngjarje ka ndodhur pikërisht në kulmin e zhvillimeve që vinin nga Prokuroria e Posaçme, ku në kushtet kur kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i vëllai i tij Arbër Veliaj dhe vetë kompania “One” po hetohen për afera. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton marrëdhëniet mes kompanisë “One Communication” dhe “Gogel”, e cila drejtohet nga Arbër Veliaj. Në qendër të hetimeve janë dyshimet për favorizime apo ushtrim të ndikimit të paligjshëm nga ana e Veliajt për të siguruar kontrata.

Sipas dokumenteve hetimore, kompania “One” paguan Arbër Veliajn për marketing dhe promovim, ndërkohë që fiton tendera (pa garë) në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga vëllai i madh i familjes Veliaj, Erioni. SPAK ka zbuluar se një kompani sigurimi dhe “One Communication” kanë pasur marrëdhënie kontraktuale me “Gogel” në vlerë prej 5 milionë eurosh. “Nga hetimi rezulton se klienti kryesor i ‘Gogel shpk’ është shoqëria ‘One Albania’, me një total shitjesh prej 551.639.924 lekë të reja”, thuhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds