Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi paraditen e sotme një takim me fermerët në Dimal, ku prezantoi programin elektoral të opozitës me fokus të veçantë sektorin e bujqësisë. Lideri i opozitës gjatë fjalës së tij premtoi se me ardhjen në pushtet, ai do të sjellë një ndryshim rrënjësor në mbështetjen ndaj bujqësisë. Kreydemokrati gjithashtu theksoi se subvencionet për fermerët do të rriten nga 32 milionë euro në 230 milionë euro. Berisha u premtoi fermerëve se në rast se PD vjen në pushtet grumbulluesit nuk do lejohen të kenë monopolin mbi çmimet dhe se nafta fermerëve do u shitet me koston e saj. Ai shtoi se miliarderët vijnë e marrin 1 milion litra naftë me jahtin e tyre dhe shtrojnë një drekë për kryeministrin. Berisha tha se ata janë të mirëseardhur, por kjo do të ndërpritet.• Sipas tij, ato miliona litra do ua japin fermerëve. Ai u shpreh se çdo fshat do të ketë infrastrukturën e një lagjeje qyteti, me rrugë, ujë, shkolla dhe qendra shëndetësore. Lideri i opozitës gjithashtu akuzoi kryeministrin Edi rama, për shkatërrimin e sistemit shëndetësor dhe premtoi dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë dhe bujqësinë. Ndër të tjera Kreydemokrati premtoi rroga minimale prej 1500 euro për mësuesit dhe reduktim të numrit të nxënësve për klasë.