Apeli i Gjykatës së Posaçme ka shtyrë seancën për Artan Gaçin dhe Olta Xhaçkën ditën e sotme. Mësohet se seanca e radhës është shtyrë për në 8 maj, për ankimin qe ka bërë SPAK lidhur me mosfillimin e hetimeve për ish-minstren Olta Xhaçka dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçin. Shkak është bërë mungesa e një avokateje, e cila kishte njoftuar që nuk vinte dot.

Pasi Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK të regjistrojë procedim penal për ish-ministren Olta Xhaçka dhe për bashkëshortin e saj Artan Gaçi, organi i akuzës ankimoi vendimin në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion. Sipas Prokurorisë së Posaçme, asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiksuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka. Në ankimin që SPAK ka depozituar thotë se çështja e hetuar më herët nga prokuroria ka kaluar në filtrin e Gjykatës së Posaçme gjatë gjykimit të çështjes penale nr 189/2023 në seancë paraprake.

Prokurori Ols Dado shprehet se Gjykata e Posaçme ka ushtruar kontroll juridiksional, duke vendosur kalimin e dosjes ndaj Jorgo Goro për gjykim, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, pasi ka çmuar se provat ishin të mjaftueshme për mbështetjen e akuzës. Sipas Dados, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkak, veçanërisht nga ato që ankuesi shtetasi Fredi Beleri parashtron, për të konkluduar se hetimet paraprake nuk ishin të plota, duke urdhëruar për pasojë plotësimin e tyre.

Në vendimin e arsyetuar të prokurorisë për mosfillim të hetimeve, sqarohet se procedimit penal ndaj Jorgo Goros nuk i ka munguar kontrolli gjyqësor, qoftë gjatë hetimit paraprak apo edhe gjatë gjykimit në seancë paraprake. Prokuroria e Posaçme shprehet se vendimi i GJKKO është i pambështetur në ligj dhe në prova i cenueshëm dhe si i tillë duhet të ndryshohet në tërësinë e tij.

Më 1 prill, Gjykata e Posaçme pranoi një ankim të bërë nga eurodeputeti dhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, dhe urdhëroi Prokurorinë e Posaçme që të regjistrojë kallëzim penal ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Pastrim i produktit të veprës penale” të kryer në bashkëpunim. Vendimi u firmos nga gjyqtarja e posaçme, Flora Hajredinaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds