Në garë janë 2.046 kandidatë, që përfaqësojnë 11 subjekte që përfshihen në pjesën e votimit, 3 prej të cilave janë koalicione me dy ose më shumë parti…
Në 11 maj Shqipëria voton, ndërsa sipas Kodit Zgjedhor, dita e sotme, një ditë para procesit të votimit, është heshtje zgjedhore.
Partitë politike mbyllën fushatën mbrëmjen e së premtes, ku PD dhe PS zhvilluan mitingjet e tyre të fundit dhe dhanë mesazhet politike drejtuar votuesve në dy mitingje të ndara, që nisën pothuajse në të njëjtën kohë e po kështu u mbyllën. Socialistët u mblodhën te Parku Olimpik, ndërsa demokratët te Bulevardi i Ri, duke shmangur në këtë mënyrë sheshin Skënderbej dhe atë Nënë Tereza, ku zakonisht kanë çelur dhe mbyllur fushatat zgjedhore.
Edi Rama e përqëndroi fushatën e tij te anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ndërsa Sali Berisha tek një program, duke premtuar rritjen e pagave dhe pensioneve. Demokratët e Berishës ia besuan drejtimin e fushatës Chris LaCivita, strategut amerikan, që shpesh u vendos në ‘objektivin’ e sulmeve nga Kryeministri që zgjodhi ta ‘pagëzojë’ edhe me emrin Latif.
Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 77, përcakton qartë periudhën e heshtjes zgjedhore dhe kufizimet që lidhen me të. Sipas këtij neni, dita para datës së zgjedhjeve dhe dita e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore.
Gjatë kësaj periudhe, ndalohet çdo aktivitet fushate zgjedhore, përfshirë zhvillimin e mitingjeve, aktiviteteve të tjera zgjedhore dhe shpërndarjen e materialeve propagandistike nga subjektet zgjedhore.
Për ata që shkelin këtë dispozitë, Kodi Zgjedhor parashikon sanksione financiare.
Në nenin 174, përcaktohet se subjektet zgjedhore që thyejnë heshtjen zgjedhore mund të gjobiten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me një shumë prej 500,000 lekësh. Po ashtu, media që shkel këtë rregull mund të gjobitet me një shumë prej 2,000,000 lekësh.
Këto masa synojnë të sigurojnë një proces zgjedhor të ndershëm dhe të paanshëm, duke garantuar që zgjedhësit të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre pa ndikime të jashtme në periudhën e heshtjes zgjedhore.
Në zgjedhjet e 11 majit 2025 të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713.761 shtetas shqiptarë, nga të cilët 114.642 votojnë për herë të parë.
Në garë janë 2.046 kandidatë, që përfaqësojnë 11 subjekte që përfshihen në pjesën e votimit, 3 prej të cilave janë koalicione me dy ose më shumë parti.
Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha kanë koalicionin më të madh me 25 parti, ndërsa si koalicion është regjistruar edhe Lulzim Basha. Socialistët kanë vijuar edhe në këto zgjedhje të hyjnë të vetëm në proces, duke synuar mbajtjen e pushtetit pa pasur në ‘prehër’ parti të tjera, sikundër shprehet Kryeministri, njëherazi edhe kryetar i PS-së, Edi Rama.
Në zgjedhjet e 11 majit garojnë si subjekte zgjedhore disa parti të reja,që gjatë fushatës kanë shprehur objektivat e tyre elektorale. Interesant është fakti se disa nga këto parti, bazuar në sondazhet e kompanive të njohura, mund të përfaqësohen në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Për herë të parë në këto zgjedhje votojnë edhe shqiptarët e diasporës, të cilët e kanë dërguar votën e tyre me postë. Vota e emigrantëve do të numërohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe do të llogaritet sikur qytetari të kishte votuar në qarkun, ku ai banonte në Shqipëri.
Procesi i votës së emigrantëve nuk ka kaluar pa kontestime, veçanërisht probleme janë denoncuar për shqiptarët që kanë zgjedhur të votojnë me postë nga Greqia.
Fushata për 11 majin përgjithësisht ka qenë e qetë, ndërsa SPAK ka ngritur grupe hetimi në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve, Policinë dhe agjensitë ligjzbatuese, me synim parandalimin e krimeve zgjedhore. Në disa qarqe të vendit janë raportuar operacione të SPAK dhe agjentëve të BKH-së, ndërsa 35 raste po hetohen nga Prokuroria Speciale, e cila ka vendosur edhe një numër jeshil në dispozicion të qytetarëve, tek i cili ditën e dielë, mund të raportohen shkeljet e ligjit gjatë procesit zgjedhor.
Subjektet që garojnë në 11 maj
1. -Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
2. Partia Lëvizja Bashkë
3. Lëvizja Atdheu
4. Koalicioni Euroatlantik
5. Partia Socialiste
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
7. Aleanca Kombëtare Shqiptare
8. Aleanca Demokracia e Re
9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim
10. Partia Mundësia
11. Partia Social Demokrate