Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi për mediat një nga ndryshimet e reja në politikën e strehimit.

Kjo politikë sjellë në ‘shënjestër’ skemën e re që synon të zgjerojë mbështetjen jo vetëm për familjet në nevojë, por edhe për të rinjtë dhe shtresën e mesme, për të cilët blerja e një banese është bërë e vështirë në vitet e para të punës dhe krijimit të familjes.

Programi i ri parashikon ndërtimin e blloqeve të banimit me një ndarje 30-40-30.

Ministrja Delina Ibrahimaj tha se një pjesë e rëndësishme e reformës së re do të lidhet me familjet e reja që, pas përfundimit të studimeve në kryeqytet, vendosin të kthehen në vendbanimet e tyre.

Sipas saj, strehimi mbetet një nga çështjet kryesore për sigurinë e familjeve shqiptare. Mbi 80% e qytetarëve jetojnë në banesa në pronësi të tyre, çka sipas ministres e bën strehimin një element të rëndësishëm të mirëqenies dhe sigurisë së jetës.

“Vendosin që pasi kanë mbaruar shkollën në kryeqytet të kthehen në vendbanimin e tyre dhe ne do t’i mbështesim këto familje të reja me qëllim që t’i garantojmë një fillim të jetës më të sigurt.”-ka thënë për mediat ministrja.

Reforma e re nuk do të kufizohet vetëm te instrumentet financiare, por synon një ndryshim më të gjerë të mënyrës se si organizohet dhe menaxhohet politika e strehimit.

Një nga pjesët kryesore të saj është ndërtimi i blloqeve të reja të banimit me një formulë të quajtur “30-40-30”.

Sipas kësaj skeme, 30% e banesave do t’u dedikohen familjeve në nevojë përmes strehimit social, ndërsa 40% do të jenë banesa të përballueshme, të orientuara drejt shtresës së mesme dhe familjeve të reja.

Kjo kategori përfshin individë dhe familje që nuk klasifikohen si të varfër, por që përballen me vështirësi për të blerë një banesë në vitet e para të punës, martesës apo krijimit të familjes.

Pjesa tjetër, 30% e apartamenteve, do të dalë në tregun e lirë.

Kjo ndarje synon që brenda të njëjtave zona banimi të bashkohen kategori të ndryshme sociale, në vend të krijimit të blloqeve të ndara vetëm për familjet që përfitojnë nga skemat sociale.

“30% e ndërtesave do t’i dedikohen banesave sociale dhe shtresave në nevojë apo të disavantazhuara, 40% e banesave do t’i dedikohet strehimit të përballueshëm… dhe 30% do t’i dedikohet shitjes në treg të lirë.”-është shprehur Ibrahimaj.

Modeli është studiuar duke marrë në konsideratë praktikat e vendeve europiane, rajonit dhe modele të tjera të strehimit.

Qëllimi është që politika e re të lidhet edhe me zhvillimin urban të qyteteve, duke shmangur krijimin e zonave të izoluara dhe duke nxitur një zhvillim më të integruar.

Programi i ri Kombëtar i Strehimit parashikon edhe instrumente të tjera, përfshirë banesat sociale me qira, banesat me kosto të ulët, përmirësimin e banesave për grupet vulnerabël dhe banesa të përshtatura për familjet apo individët me aftësi të kufizuara.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ministrja, që prej vitit 2018 rreth 30 mijë familje, ose rreth 100 mijë qytetarë, janë mbështetur përmes politikave të strehimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *