Gjatë një studimi u zbulua se mediat online krijojnë një perspektivë të ndërmjetme në shkrimet për të kaluarën komuniste, duke gërshetuar analizat me historitë personale, platformat mediatike OTT janë më pak shkencore, televizionet janë më neutralë, ndërsa rrjetet sociale e vlerësojnë periudhën e komunizmit.
Studiuesi Artan Fuga thotë se historiani i periudhës komuniste shkruante për pushtetin, ndërsa ky i sotmi shkruan për klikimet, teknologjitë e reja sjellin lehtësitë e manipulimit, dhe ndikimi tek përmbajtja e ngjarjeve historike është një sfidë që duhet trajtuar.
Sokol Mirakaj, ish i përndjekur politik gjatë diktaturës komuniste, pasi ndoqi konferencën gjatë Ditëve të Kujtesës, thotë se të dhënat për nostalgjikët janë për të ardhur keq, janë po ata që i shërbyen regjimit para vitit 1991, dhe se gjendja në Shqipëri nuk mund të ndryshojë pa u ndryshuar mendësia e njerëzve, mbi çështje si hapja e dosjeve të sigurimit famëkeq e deri tek largimi prej administratave publike dhe politike i bashkëpunëtorëve të regjjmit komunist, siç u bë në shtete të tjera ish komuniste.
Drejtuesi i Delegacionit të BE-së, ambasador Silvio Gonzato, tha në konferencën Media dhe Kujtesa, organizuar nga IDMC-ja dhe Fakulteti Histori-Filogjisë në UT, se trajtimi i të kaluarës është një investim për të ardhmen, sepse brezat e rinj duhet të kuptojnë që zhdukja, përndjekja gjatë regjimit komunist ka prekur shumë njerëz, dhe këto padrejtësi nuk duhen harruar.
“Një vlerësim i qartë i sinqertë i së kaluarës komuniste të Shqipërisë është thelbësor, jo vetëm për drejtësinë, por edhe si një themel për një të ardhme demokratike dhe evropiane. Forcimi i shtetit ligjor është në thelb të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Do të thotë t’i jepet përparësi të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe pajtimit. Media ka një rol thelbësor në përshkrimin e ngjarjeve historike, por tani sfida serioze janë përballë, teksa mediat sociale kanë shtuar rreziqet e keqinformimit dhe manipulimit mbi temat e të kaluarës”, tha ambasadori i BE-së, Gonzato, i cili theksoi se liria e shprehjes duhet të shkojë paralel me shkrime të mbështetura fort mbi faktet.
Ndërsa zoti Mirakaj thotë se nga një anë nostalgjikët lavdërojnë diktaturën dhe nga ana tjetër fshehin dhe mbulojnë krimet e saj me propagandë, duke përdorur mjetet moderne të komunikimit për gënjeshtrat dhe hipokrizitë e tyre. Ai thotë se asnjë prej autorëve të diktaturës nuk u dënua, ndërsa të përndjekurit duan drejtësi dhe ajo më tej sjell faljen dhe paqen sociale.
Nostalgjia për regjimin komunist dhe vazhdimi i propagandës së vjetër komuniste edhe pas 3 dekada demokraci bëhen shpesh temë e studimeve në fushën e shkencave të komunikimit., ku vazhdimisht del në pah konstatimi që njerëzit e atij regjimi po përdorin mediat e demokracisë për të shumëfishuar nostalgjinë e diktaturës, ndërsa studiuesit vërejnë që masat përballë kësaj sfide janë të pakta dhe të pamjaftueshme.