Në Shqipëri Avokati i Popullit dhe grupe shoqërore që mbrojnë të drejtat e njeriut, vënë në dukje se rritja e vazhdueshme e numrit të të paraburgosorve në raport me popullsinë e burgjeve është një element që tregon probleme të thella në cënimin e lirisë së personit, pasi ai prezumohet i pafajshëm por praktikisht është në burg.
Sot në institucionet e vuajtjes së dënimit ndodhen 5028 shtetas, 62% e të cilëve të paraburgosur, një shifër që e vendos Shqipërinë në vendin e fundit në rajon dhe Europë për nivelin e lartë të personave që mbahen në burg pa një vendim gjykate të formës së prerë.
Numri i të paraburgosurve në Shqipëri, në raport me popullsinë e burgjeve në tërësi ka qenë i lartë në dy dekadat e fundit. Në vitin 2001 ai ishte 47.8 %, e totalit, në vitin 2015 u ul në rreth 30%, ndërsa pas këtij viti që përkon dhe me nisjen e reformës në drejtësi, ka ardhur duke u rritur ndjeshëm.
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca i tha Zërit të Amerikës, se masat e rënda penale nuk ndikojnë gjithmonë pozitivisht dhe se duhet marrë në konsideratë prezumimi i pafajsisë.
Kjo masë në Kodin e Procedures Penale, renditet ndër 7 masat shtrënguese që parashikon legjislacioni penal, mes të cilave ndalimi i daljes jashtë shtetit, detyrim paraqitje në policinë gjyqësore, garancia pasurore, apo arresti në shtëpi.
Së fundi kjo çështje u rikthye në vëmendje pas një debati publik të zhvilluar në distancë, mes Kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posacme, Altin Dumani.
Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës për llogari të SPAK, Z. Rama u shfaq publikisht kritik mbi aplikimin e masës së sigurimit “arrest në burg” nga kjo Prokurori, për kryebashkiakë dhe punonjës shteti në detyrë, kur siç tha ai nuk janë kapur në flagrancë, nuk paraqesin rrezik arratisjeje, dhe se nuk kanë çfarë provash të prishin.
Por në një reagim publik Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani tha se vetëm 9% e të paraburgosurve janë subjekte të SPAK, pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga bota e krimit të organizuar.
Sipas statisikave të Prokurorisë së Përgjithshme, në dy vitet e fundit kërkesat e organit të akuzës për masat sigurimit “arrest në burg” janë vleftësuar nga gjykatat në masën 80%.
Shqetësimet mbi nivelin e lartë të personave në paraburgim në Shqipëri, janë nënvizuar thuajse në të gjitha raportet e Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës dhe grupimet që mbrojnë të drejtat e njeriut në vend gjatë viteve të fundit. Por megjithatë ende nuk ka përparime në këtë drejtim. Nga ana tjetër edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka filluar të japë vendimet e para dhe në të paktën dy raste e ka dënuar Shqipërinë për aplikim të padrejtë të masave së sigurimit.