Një gomisteri është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tresh të Lezhës, përgjatë superstradës Lezhë-Milot.
Zjarri ka rënë rreth orës 02:00 dhe fillimisht ka përfshirë ambientin ku mbaheshin gomat, ndërsa më pas flakët janë përhapur me shpejtësi duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke djegur pjesën më të madhe të godinës.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve. Ndërhyrja e tyre ka bërë të mundur izolimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në bizneset e tjera që ndodheshin pranë gomisterisë.
Ndërkohë, për ngjarjen kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit. Dyshimet paraprake janë se flakët mund të jenë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, e cila më pas ka favorizuar përhapjen e zjarrit në të gjithë godinën.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të rënies së zjarrit.
