Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti edhe një herë ka përsëritur se pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit do të nis diskutimet për formimin e institucioneve.
“Porsa të certifikohet rezultati do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve, konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Kurti po ashtu shtoi se nuk ka pasur nevojë edhe për një palë zgjedhje e sipas tij këtë e konfirmon rezultati.
“Qytetarët folën sërish qartë, rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike për zhvillim e mirëqenie”, deklaroi Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje që doli e para në zgjedhjet e fundit.
Në ndërkohë, ministri në detyrë i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dha sinjale që ka një unitet mes grupit multietnik për vazhdimin e bashkëpunimit me Vetëvendosjen.
“Grupi multietnik që është i përbërë prej 8 ose 9 deputetëve janë të gatshëm dhe të interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve të formojnë institucionet e Republikës së Kosovës, kjo garanton një numër të mjaftueshëm për formimin e qeverisë”, tha Krasniqi.
Sipas rezultateve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtit ka marrë 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.
