Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 2.9 miliardë eurosh, ndërsa eksportet kanë arritur në vetëm 419.2 milionë euro. Kjo ka rezultuar në një deficit tregtar prej rreth 2.5 miliardë eurosh.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet janë rritur me rreth 150 milionë euro. Ndërkohë, krahasuar me vitin 2024, importet janë rritur me mbi gjysmë miliardë euro, duke treguar një tendencë të vazhdueshme rritjeje të varësisë nga mallrat e huaja.

Edhe pse eksportet kanë shënuar rritje në periudhat e fundit, ritmi i tyre mbetet dukshëm më i ulët se ai i importeve. Në janar–maj 2025, Kosova kishte importuar 2.75 miliardë euro dhe eksportuar 356.8 milionë euro, me një deficit prej 2.39 miliardë eurosh. Gjatë gjithë vitit 2025, importet arritën në 7.1 miliardë euro, ndërsa eksportet kaluan 900 milionë euro.

Një vit më herët, në pesëmujorin e parë të vitit 2024, importet ishin rreth 2.38 miliardë euro, eksportet rreth 352 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar qëndronte në 2.03 miliardë euro.

Gjatë prezantimit të raportit të 100 ditëve të punës, ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila ka pranuar rritjen e deficitit tregtar, duke theksuar se kjo situatë krijon presion shtesë për institucionet që të forcojnë prodhimin vendor dhe të rrisin konkurrueshmërinë e tij.

Të dhënat tregojnë një trend të vazhdueshëm të rritjes së importeve, ndërsa eksportet, megjithëse në rritje, nuk arrijnë të ngushtojnë hendekun tregtar të vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds