Qeveria shqiptare po harton për herë të parë një kuadër ligjor për lobimin, me qëllim vendosjen e rregullave të qarta për ndërveprimin midis zyrtarëve publikë dhe subjekteve private. Ky projektligj është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë për avancimin e negociatave me Bashkimin Evropian, veçanërisht për Grupkapitullin “Themeloret” në Pozicionin e Përbashkët Negociues të BE-së.

Projektligji ka në fokus transparencën e ndërveprimeve midis bizneseve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve, si dhe vendimmarrësve publikë. Ai parashikon regjistrimin e çdo individi ose subjekti që angazhohet në lobim, deklarimin periodik të burimeve financiare dhe shpenzimeve çdo gjashtë muaj, si dhe respektimin e Kodit të Sjelljes dhe parimeve etike.

Qëllimi është që lobimi të bëhet një proces i ligjshëm, i hapur dhe në shërbim të interesit publik, duke garantuar raportim të saktë, transparencë dhe parandalim të konflikteve të interesit.

NJOFTIM PËR SHTYP

Qeveria propozon Projekt-ligjin “Për Lobimin”: Një instrument i ri për transparencë, integritet dhe besim në vendimmarrjen publike

Qeveria shqiptare harton për herë të parë një kuadër ligjor për rregullimin e veprimtarisë së lobimit, ku synon të vendosë rregulla të qarta për ndërveprimin ndërmjet zyrtarëve publikë dhe subjekteve private.

Iniciativa për miratimin e këtij projektligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të avancimit të negociatave me Bashkimin Evropian dhe përkatësisht në Pozicionin e Përbashkët Negociues të BE-sëpër Shqipërinë për Grupkapitullin “Themeloret”.

Projektligji “Për lobimin” ka në fokus ndërveprimin midis palëve të interesuara si bizneset, organizatat e shoqërisë civile apo grupet e ekspertëve nga njëra anë dhe vendimmarrësve publikë nga ana tjetër, duke garantuar që proceset e politikëbërjes të jenë transparente dhe të gjurmueshme.

Përcaktohet qartë një kuadër i qartë
rregullash për ushtrimin e veprimtarisë së ndikimit në proceset publike të vendimmarrjes, duke parashikuar detyrimin për regjistrim të çdo individi apo subjekti juridik që angazhohet në lobim, si dhe deklarimin periodik të burimeve financiare dhe shpenzimeve çdo gjashtë muaj.

Nëpërmjet këtij projektligji do të vendoset detyrimi për raportim të saktë dhe të rregullt mbi aktivitetet e lobimit, respektimi i Kodit të Sjelljes dhe të parimeve etike profesionale, si dhe deklarimi i konfliktit të interesit duke e kthyer lobimin në një proces të ligjshëm, të hapur dhe në shërbim të interesit publik.

Lobimi si instrument ligjor kundër korrupsionit

Në thelb të kësaj nisme qëndron parimi i transparencës dhe parandalimit të korrupsionit.

Përmes regjistrit publik të lobimit, çdo kontakt, kontratë apo shpenzim lobimi do të jetë i deklaruar dhe i verifikueshëm, duke e bërë të mundur gjurmimin e burimeve të ndikimit dhe të interesave të përfaqësuara.

Projekt-ligji vendos mekanizma të detyrueshëm për deklarimin e kontakteve të lobimit, përfshirë raportimin nga vetë zyrtarët publikë që zhvillojnë takime apo komunikime me lobistë, si dhe kufizime për ish-zyrtarët e lartë publikë në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së lobimit pas përfundimit të funksionit të tyre.

Ky proces reformues do të ndihmojë jo vetëm në krijimin e një mjedisi më transparent për funksionet publike, por edhe në forcimin e standardeve të besueshmërisë institucionale, që përbëjnë një shtyllë thelbësore të procesit të integrimit evropian, duke mundësuar kështu një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt forcimit të integritetit publik dhe konsolidimit të mirëqeverisjes.

Miratimi i këtij projektligji do ta pozicionojë vendin tonë në një linjë të qartë përafrimi me standardet e GRECO-s dhe OECD-së për qeverisjen e hapur, transparencën dhe integritetin publik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *